Të nderuar familjarë të martirëve dhe të të përndjekurve politikë,
I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha,
Të nderuar miq, demokratë, qytetarë, përfaqësues të shtresës më fisnike të kombit shqiptar,
Sa here ka data të tilla, unë nuk preferoj t’i quaj thjesht perkujtimore për ngjarje të rënda të së shkuarës.
Ne mblidhemi për t’i dhënë zë një të vërtete që u përpoqën ta varrosnin me plumba, me burgje, me internime, me heshtje dhe me frikë.
Ne mblidhemi që krimi të mos bëhet harrim dhe që emrat e Koço Plakut, Milto Gjikopullit, Nuredin Skraparit, Filip Nashit, Beqir Alisë, Protoko Muratit, Dhimitër Stefës, Jani Konomit dhe të gjithë atyre inxhinierëve, shkencëtarëve, teknikëve dhe specialistëve të naftës, të mos mbeten thjesht rreshta në një dosje gjyqi komunist, por të jetojnë në ndërgjegjen e këtij kombi si dëshmi e një krimi shtetëror.
Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje t’i kthejmë e ti forcojmë kombit tonë ndergjegjen.
Këta ishin njerëz të dijes, të punës, të aftësisë, të shërbimit ndaj vendit. Ishin pjesë e asaj inteligjence teknike shqiptare që mund ta kishte ndërtuar Shqipërinë ndryshe. Dhe pikërisht për këtë arsye u goditën.
Komunizmi nuk kishte frikë vetëm nga kundërshtarët politikë. Komunizmi kishte frikë nga njeriu i lirë. Kishte frikë nga mendja e pavarur. Kishte frikë nga profesionisti. Kishte frikë nga ai që dinte, nga ai që mendonte, nga ai që nuk i nënshtrohej verbërisht partisë.
Në këtë kuptim, tragjedia e të ashtuquajturit “grup i sabotatorëve të naftës” nuk ishte vetëm një proces gjyqësor i montuar. Ishte një akt lufte kundër dijes. Ishte një goditje ndaj elitës së vendit. Ishte një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një vend ku askush nuk duhej të mendonte, askush nuk duhej të dallonte, askush nuk duhej të kishte dinjitet jashtë lejes së partisë.
Kjo histori nuk filloi aty. Ajo filloi që me persekutimin e dijetarit dhe gjeologut të shquar polak, Stanislav Zuber, në vitin 1947. Një njeri që i dha Shqipërisë dije, shkencë dhe kontribut, por që regjimi komunist e shpërbleu me burg, me torturë dhe me vdekje.
Ky ishte komunizmi shqiptar. Një regjim gjakatar që pushkatoi klerikët, intelektualët, patriotët, themeluesit e shtetit, pronarët, nacionalistët, demokratët, njerëzit e shkolluar, njerëzit e ndershëm.
Një regjim që vrau elitat dhe ngriti mediokritetin.
Një regjim që shkatërroi pronën dhe shpalli vjedhjen politikë shtetërore.
Një regjim që e ktheu njeriun në numër, familjen në objekt survejimi, fjalën në krim dhe mendimin në rrezik. Një regjim që u përpoq të depërtonte në shpirtin njerëzor e ta modifikonte atë duke krijuar kështu Njeriun e Ri, pa lidhje, pa familje, pa identitet por vetëm në sherbim të regjimit.
Prandaj, sot, kur flasim për përkujtim, nuk duhet ta shohim vetëm si një detyrim formal që kemi ndaj historisë. Ne duhet të flasim për drejtësi, për kujtesë kombëtare, për ndërgjegjen e një vendi që nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi harresën e krimeve të së shkuarës.
Krimi që nuk dënohet, përsëritet. Krimi që relativizohet, legjitimohet. Krimi që harrohet, kthehet në sistem.
Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk është çliruar plotësisht nga pasojat e komunizmit.
Nuk është çliruar, sepse shumë prej viktimave nuk kanë marrë ende drejtësinë që meritojnë.
Shumë familje të përndjekura politike ende mbajnë plagë të hapura, jo vetëm në kujtesë, por edhe në jetë, në pronë, në dinjitet, në status, në mundësi.
Madje ky narkotegjim që kemi sot ka rikthyer edhe njëherë aspektet më të errëta të atij regjimi, atë të patronazhimit, represionit shtetëror, përbuzjes ndaj qytetarit, arrogancës ndaj të dobëtit, kapjes së shtetit nga pakica, dhe ideja se pushteti nuk është shërbim, por sundim.
Sot Shqipëria nuk ka më burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit në formën e tyre të vjetër. Por Shqipëria ende vuan nga pasardhesit e atij regjimi. Vuan nga mosndëshkimi, nga padrejtësia, nga largimi masiv i të rinjve, nga shkatërrimi i meritokracisë, nga përbuzja ndaj pronës private.
Vuan nga shteti që nuk mbron qytetarin, por e shtyp atë.
Prandaj kujtesa nuk është luks. Kujtesa është mbrojtje dhe është themeli i lirisë.
Kujtesa është kushti që një komb të mos bjerë dy herë në të njëjtën humnerë
Sot, si departament dhe si Parti e njerëzve të lirë, patriotë, antikomunistë, ne kemi një detyrë të madhe morale, politike dhe kombëtare: të mos lejojmë që sakrifica e këtyre njerëzve të trajtohet si histori e largët. Të mos lejojmë që komunizmi të paraqitet si gabim, apo qoftë dhe nga shumëkush si nostalgji e padëmshme.
Jo. Komunizmi ishte krim.
Ishte krim kundër njeriut, kundër familjes shqiptare, kundër pronës, kundër besimit, krim kundër dijes.
Ndaj sot ne përkulemi me respekt para atyre që u dënuan padrejtësisht, para atyre që u pushkatuan, para atyre që kaluan vite të gjata në burgje, para familjeve që u internuan, u përbuzën, u lanë pa të drejtë studimi, pa të drejtë pune, pa të drejtë jete normale. Ne ngreme në piedestal lirine e individit dhe dinjitetin njerezor.
Sot ne nuk përkulemi para së keqes.
Para së keqes nuk përkulemi kurrë.
Sot ngrihemi përballë saj, me kujtesë, me dinjitet dhe me vendosmërinë se Shqipëria duhet të jetë vend i lirisë, i pronës, i dinjitetit njerëzor, i meritës dhe i së vërtetës.
Ky është borxhi ynë ndaj atyre që nuk jetojnë më.
Ky është detyrimi ynë ndaj atyre që vuajtën.
Ky është amaneti ynë ndaj brezave që vijnë.
Ne ua detyrohemi atyre martirëve dhe brezave që do të vijnë të ngrihemi sot për Shqipërinë përpara kesaj diktature moderne të mbajtur nga droga e krimi e te gjejme brenda nesh kurajën për te sfiduar pasardhësit e atyre qe bene krime nga me mostruozet dhe të shpëtojmë vendin para se të jetë vone.
Lavdi martirëve të naftës.
Lavdi të gjithë viktimave të diktaturës komuniste.
Nderim të përjetshëm të përndjekurve politikë shqiptarë.

