• Home  
  • Ndërtimi nuk do ndalet! Sipërfaqja e re e lejeve llogaritet në 2 mln metra katror vetëm në 5 muaj
- Pa Kategori - Biznes & Ekonomi

Ndërtimi nuk do ndalet! Sipërfaqja e re e lejeve llogaritet në 2 mln metra katror vetëm në 5 muaj

Në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 2.5 milionë metra katror, duke shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me 333 mijë metra katror në 2015-n, përpara se të fillonte vala e re e ndërtimeve në vend, sidomos në kryeqytet. Nga viti 2025, INSTAT nuk publikon më të plota sipërfaqen e […]

Në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 2.5 milionë metra katror, duke shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me 333 mijë metra katror në 2015-n, përpara se të fillonte vala e re e ndërtimeve në vend, sidomos në kryeqytet.

Nga viti 2025, INSTAT nuk publikon më të plota sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim, pasi jep vetëm informacion vetëm mbi lejet e ndërtimit bazuar në të dhënat e siguruara nga bashkitë.

INSTAT ka sqaruar se në të dhënat e raportuara nuk përfshin lejet mbi 7 kate që jepen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU. Si rrjedhojë, në vitin 2025, sipërfaqja e deklaruar e lejeve ishte vetëm 1.3 milionë metra katror, (gati përgjysmim) e dhënë kjo vetëm nga Bashkite.

Ndonëse KKTU ka dhënë vazhdimisht leje ndërtimi për kulla e resorte, nuk ka pasur transparencë se sa është sipërfaqja e dhënë për ndërtim në 2025-n dhe në 5 muajt e parë të 2026-s.

Një tregues indirekt janë të ardhurat e larta nga taksat lokale, ku 50-60% e të cilës vjen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Nga taksat lokale, për periudhën janar maj 2026 janë mbledhur rreth 24 miliardë lekë të ardhura, me dyfishim nga e njëjta periudhë e 2025-s, ose rreth 12.7 miliardë lekë më shumë.

Rritja është aq e fortë sa ka ndikuar në përmirësimin e të ardhurave totale buxhetore. Për krahasim të ardhurat buxhetore në janar-maj ishin 34.3 miliardë lekë më shumë, pra vetëm taksat lokale kanë sjellë 37% të rritjes së buxhetit.

Monitor, duke u nisur nga rritja e lartë e zërit të taksave lokale, ku ndikimin kryesor e ka dhënë ajo e ndikimit në infrastrukturë ka përllogaritur, bazuar në të dhënat e 2024 se sa mund të jetë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi vetëm në 5 muajt e parë të vitit.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor” (të sqaruara më poshtë), rezulton se vetëm në 5 muajt e parë të vitit janë dhënë leje ndërtimi për rreth 2 milionë metra katror ndërtime, nga 2.5 milionë metra katror që ishin dhënë për gjithë vitin 2024, duke treguar për një vijim edhe më masiv të ndërtimeve në vend, nëse do të bëhen të gjitha projektet, që tashmë rezultojnë se kanë paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Në Tiranë, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja për banim, tregti dhe shërbime është 8% e çmimit të shitjes për metër katror, bazuar në vlerën referuese të tregut. Ky nivel u vendos me paketën fiskale të Bashkisë Tiranë për vitin 2016, ku u rrit nga niveli prej 4% që ishte më parë. Edhe në Durrës e Vlorë, ku po ndërtohet masivisht, taksa është po 8% në disa zona qendror, (nivelet e tjera janë 4-6%), ndërsa në rrethet e tjera varion midis 4-8%.