Ish-komuna e Lukovës duhet të jetë pjesë e Bashkisë Sarandë, ndërsa Ksamili i plotëson të gjitha kriteret për të qenë bashki më vete.
Partia Socialiste ka dërguar në mënyrë të njëanshme në Parlament një draft të ri për ndarjen territoriale të Republikës së Shqipërisë. Sipas këtij drafti, nga 61 bashki sa janë sot, vendi do të mbetet me vetëm 45.
Nuk është çështje numrash, është çështje koncepti, demokracie dhe respekti për marrëdhënien me qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Është e pafalshme që banorët e bashkive që parashikohen të suprimohen dhe të zhduken nga harta administrative e Shqipërisë ta mësojnë këtë lajm, aspak pozitiv për ta, nga portalet apo nga ekranet televizive.
A është ky komunikimi që meriton një qytetar me qeverinë e tij?
A është ky respekti ndaj njerëzve që ju kanë besuar votën dhe ju kanë mbajtur në qeverisje për trembëdhjetë vjet me radhë?
Një reformë e tillë, që prek drejtpërdrejt identitetin, përfaqësimin dhe të ardhmen e komuniteteve të tëra, nuk mund të hartohet dhe të paraqitet pa konsultim të gjerë publik, pa transparencë dhe pa dëgjuar zërin e qytetarëve.
Për sa i përket Bashkisë Sarandë, për shkak të lidhjeve të forta historike, kulturore dhe gjeografike, është e domosdoshme që ish-Komuna e Lukovës të jetë pjesë e kësaj bashkie, duke korrigjuar kështu gabimin e pafalshëm të pseudo-reformës së njëanshme territoriale të vitit 2014.
Pas reformës së dështuar territoriale të vitit 2014, cila u hartua totalisht për interesa elektorale, Partia Socialiste po u paraqet shqiptarëve një tjetër të ashtuquajtur reformë, atë të vitit 2026, e cila rrezikon të thellojë edhe më tej centralizimin dhe të dobësojë përfaqësimin e komuniteteve lokale.

