Ish-zv.ministri në qeverinë Rama Artan Shkreli i ka quajtur ndërtimet në zonën e Palasës një varrezë gjigante. Sipas tij ndërtimet në atë zonë kanë sjellë një shkatërrim të qëndrueshëm të ekosistemit dhe që do ketë një ndikim afatgjatë.
“Një nga shembujt e një dështimi afatgjat të qëndrueshëm është Palasa, si një varrezë gjigante, varrezat kanë gjelbërim, kurse ajo është një masë e madhe si gurore. Natyrisht është zone e shtrenjtë sepse kërkesa është më e madhe për të blerë një shtëpi në bregdet se vetë oferta. Jala është një nga shembujt e mire, e lidhur shumë mire me siluetin me detin. Shembujt më të mire do ishin rijetëzimi I fshatrave që ka bregu dhe do të jenë perlat e vërteta të ndërtuara bukur.” – tha Shkreli.
Më tej arkitekti Shkreli tha në Zvërnec nuk duhet ndërtuar pasi është zonë e mbrojtur ndërsa u shpreh pro projektit në Sazan.
“Në Zvërnec nuk duhet ndërtuar pasi është një zonë e mbrojtur dhe zonat e mbrojtura janë shumë të qarta. Ne kemi aderuar në Konferencës e Ramsarit. Nuk duhet ndërtuar fare ose ndërtimet duhet të jenë druri, tip peshkatarësh. Ndërkohë Sazani është histori tjetër, duhet të turistifikohet. Janë dy situata të ndryshme Sazani me Zvërnecin.” – shtoi Shkreli.

