• Home  
  • Nga Jorida Tabaku: Shqipëria ka nevojë për një hetim parlamentar mbi zbatimin e ligjit të investimeve strategjike, si nje masaker ligjore, ekonomike dhe morale.
- Pa Kategori - Opinion

Nga Jorida Tabaku: Shqipëria ka nevojë për një hetim parlamentar mbi zbatimin e ligjit të investimeve strategjike, si nje masaker ligjore, ekonomike dhe morale.

Një dekadë më parë, qeveria miratoi dy ligje që sot tregojnë qartë të njëjtën arkitekturë politike dhe ekonomike: ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ligjin për investimet strategjike. Njëri dobësoi pronarët e ligjshëm. Tjetri krijoi mekanizmat për kalimin e pronës publike dhe private në duart e një pakice të privilegjuar. Ajo që i […]

Një dekadë më parë, qeveria miratoi dy ligje që sot tregojnë qartë të njëjtën arkitekturë politike dhe ekonomike: ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ligjin për investimet strategjike.

Njëri dobësoi pronarët e ligjshëm. Tjetri krijoi mekanizmat për kalimin e pronës publike dhe private në duart e një pakice të privilegjuar.

Ajo që i është bërë pronës në Shqipëri nuk është thjesht keqmenaxhim. Është një masakër ligjore, ekonomike dhe morale ndaj pronarëve dhe ndaj vetë konceptit të pronës.

Pas katër mandateve, pronarët vazhdojnë të sorollaten në gjykata dhe zyra. Regjistrat mbeten të pasaktë, pronësia e pasigurt dhe vendimet e gjykatave të pazbatuara.

Sepse pasiguria e pronës nuk ka qenë një dështim i sistemit. Ka qenë një mjet i tij.

Kur prona është e pasigurt, qytetari është i dobët. Kur dokumentet janë të paqarta, administrata bëhet e plotfuqishme. Kur ligji ndryshon sipas interesit, pushteti vendos kush fiton dhe kush humbet.

Kështu prona e qytetarit kthehet nga një e drejtë kushtetuese në një favor që duhet kërkuar te pushteti.

Hetimet e SPAK kanë ekspozuar një ekonomi ku paraja e pistë ka hyrë në ndërtim, prona, resorte dhe kontrata publike. Gara është mbyllur, tregu është deformuar dhe sipërmarrja e ndershme është goditur.

Statusi i “investitorit strategjik” nuk është përdorur kryesisht për teknologji, industri apo vende pune të mirëpaguara. Është përdorur për privilegje fiskale, procedura të përshpejtuara dhe përdorimin e pasurisë publike nga një rreth i kufizuar përfituesish.

Ky sistem ka autorë, zbatues dhe noterë politikë.

Ideatori është Kryeministri. Aparati janë ministrat dhe agjencitë. Ndërsa shumica socialiste në Kuvend ka votuar ligjet, përjashtimet dhe kontratat që e kanë mbajtur në këmbë.

Prandaj ky debat nuk është vetëm për pronën. Është për shtetin, ekonominë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Shqipëria ka nevojë për një hetim parlamentar të plotë mbi zbatimin e ligjit të investimeve strategjike, transferimin e pronave publike, lehtësitë fiskale dhe lidhjet mes përfituesve dhe vendimmarrësve.

Ndryshimi nuk është më vetëm kërkesë politike.

Është domosdoshmëri ekonomike, demokratike dhe kombëtare