Një valë e re e të nxehtit pritet të përfshijë gjatë ditëve të ardhshme një pjesë të madhe të Europës Perëndimore dhe Qendrore. Sipas parashikimeve meteorologjike, Spanja, Portugalia, Franca, Belgjika dhe pjesë të Gjermanisë do të përballen me temperatura deri në 8-12 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, ndërsa në disa zona termometri mund të kalojë edhe 40°C.
Ndërkohë, Shqipëria pritet të mbetet jashtë qendrës së kësaj vale të nxehti. Temperaturat do të jenë tipike për stinën e verës dhe në disa zona të larta, por pa sinjale për një valë ekstreme që të përfshijë të gjithë vendin.
Meteorologët vlerësojnë se erërat veriore dhe ndikimi i masave ajrore më të freskëta nga Mesdheu Lindor do të ndihmojnë në frenimin e rritjes së mëtejshme të temperaturave.
Po ashtu, në zonat malore dhe në brendësi të vendit nuk përjashtohen vranësira të përkohshme dhe reshje lokale gjatë orëve të pasdites.
Sipas të dhënave aktuale, ndërsa Europa Perëndimore po përgatitet për një periudhë me temperatura përvëluese, Shqipëria pritet të përjetojë një mot të ngrohtë veror, por pa episode ekstreme të nxehtësisë.

