Nga Ylli Asllani
Protesta e tyre madhështore po dëshmon edhe një herë se askush nuk mund ta mbajë peng përjetësisht vullnetin e një populli.
Mjerë ai që e ngatërroi durimin, përgjegjshmërinë dhe dashurinë e shqiptarit për atdheun me nënshtrimin, tulatjen apo frikën!
Sa më i ashpër të bëhet sundimi, sa më e hollë intriga dhe sa më e rëndë shtypja, aq më shumë shqiptarët bashkohen.
Revolta qytetare shpërtheu pikërisht në çastin kur pushteti kujtoi se e kishte nënshtruar përfundimisht popullin e vet; kur shumëkush mendoi se rinia po largohej pa kthim dhe se nervi qytetar ishte shuar.
Por Shqipëria ka mbijetuar ndër shekuj sepse, në momentet më të vështira, i janë gjendur gjithmonë bij e bija që i kanë dalë zot.
Prandaj gëzimi për këtë ringjallje qytetare është në përmasat e vetë protestës.
Aspirata për një jetë më të begatë, për zgjedhje të lira dhe për një demokraci funksionale kërkon rregulla të reja demokratike, institucione të besueshme dhe një kontratë të re politike mes qytetarëve dhe shtetit.
Në këto rrethana, përtej dallimeve, kërkohet t’u bashkohemi qytetarëve, sidomos rinisë shqiptare dhe zgjimit të saj politik. Po aq e rëndësishme është që opozita të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve dhe energjisë së re që po lind në shoqëri.
Le të mos harrojmë: fuqia e njerëzve të thjeshtë qëndron te pjesëmarrja.
Algoritmi i vërtetë i fitores nuk shkruhet në zyrat e pushtetit, nuk blihet me propagandë dhe nuk manipulohet nga frika. Ai gjendet në ndërgjegjen qytetare, në guximin për t’u ngritur dhe në shpirtin atdhetar të çdo shqiptari.
Kur qytetarët bashkohen, historia ndryshon drejtim!
Tiranë 21 Qershor;
Bulevardi “ Dëshmorët e Kombit”

